Tuesday, December 4, 2012

Ceshtja shqiptare dhe gjeopolitika e korridoreve tokesore                     Ceshtja shqiptare ne Ballkan dhe zgjidhja e saj, ne vazhdimesi, ne nje mase te konsiderueshme, pervec luftes dhe perpjekjeve te popullit shqiptar, ka qene e ndikuar ndermjet te tjerave edhe nga pozicioni gjeostrategjik i hapesires shqiptare dhe, sidomos, nga gjeopolitika e korridoreve tokesore dhe e Detit Adriatik. 

Gjeohapesira shqiptare pershkohet prej luginave te medha terthore te cilat, per te kaluar nga Adriatiku ne Egje, perbenin korridoret me te mira ne tere Gadishullin Ballkanik (Boucart 2004: 23). Hapesira gjeopolitike shqiptare, me nje pozicion strategjik te lakmueshem buze Adriatikut, u be nje vend ku perplaseshin jo vetem interesat e shteteve rajonale dhe interesat e Fuqive te Medha, por dhe te aleancave me te medha te kohes. Krahas luftes dhe perpjekjeve te popullit shqiptar per liri dhe pavaresi, perplasja e ketyre interesave, do te ndikonte ne shkallen dhe menyren e zgjidhjes se ceshtjes shqiptare ne rajon dhe ne raportet e saj me kompleksin rajonal te sigurise ne Ballkan. 

Studiuesi Ami Boué shume kohe me pare kishte evidentuar rendesine strategjike te territoreve shqiptare per kalimin e linjave hekurudhore nga Adriatiku neper Ballkan dhe qe mund te lidhnin ne menyren me te shkurter Evropen Perendimore me Stambollin (1852:25-35). 

Interesimi i aktoreve kryesore gjeopolitike nderkombetare dhe rajonale te kohes per korridoret tokesore dhe linjat e transportit hekurudhor qe parashikohej te kalonin nepermjet territorit shqiptar beri qe keta aktore, ne prag te shperberjes se Perandorise Osmane, te interferojne ne ceshtjen shqiptare dhe te ndikojne ne menyren dhe shkallen e zgjidhjes se saj. Por si dhe sa ka ndikuar gjeopolitika e korridoreve tokesore ne ceshtjen shqiptare ne rajon? 

Pas ndryshimit te hartes gjeopolitike te rajonit te Ballkanit ne Kongresin e Berlinit te vitit 1878, Serbia mbeti shteti i vetem i Ballkanit qe nuk kishte dalje ne det (Milicevic 2011: 292).Per kete, menjehere pas atij Kongresi, Serbia hartoi plane per ta zgjidhur kete ceshtje mjaft te rendesishme per sigurine e saj kombetare. Per serbet dalja ne Adriatik, kishte rendesi ekonomike dhe politike, pasi do te lidhej me tregjet boterore dhe do t'i jepte Serbise mundesi te ishte aktore me rendesi jo vetem ne kompleksin ballkanik te sigurise, por edhe ne ate evropian. Por, ne kushtet kur fuqite kryesore evropiane mbronin akoma status quone ne Ballkan, shtrirja e territoreve serbe deri ne Detin Adriatik ishte e pamundur. Dhe, ne keto kushte, qe te dilte ne Adriatik, Serbise i duhej te ndertonte nje hekurudhe neper territoret shqiptare. Projekti serb i hekurudhes se Adriatikut, parashikonte ne fazen perfundimtare te tij trasene e hekurudhes pergjate Lugines se Drinit ne Veri te Shqiperise. Hekurudha parashikohej te dilte ne Detin Adriatik ne portin e Shengjinit (Drashkic 2000:137-138). 

Dalja ne det per Serbine ishte e rendesishme edhe per jetesimin e planeve te saj ekspansioniste ndaj territoreve shqiptare. Duke kaluar neper Kosove e deri ne Detin Adriatik, hekurudha do te sherbente si nje arterie qe do te pergatiste bashkimin e kesaj pjese te gjeohapesires shqiptare me Serbine. 

Por, perpjekjet e perseritura te qeverise serbe ne vitet 1898-1912 per te siguruar lejen nga Stambolli per te ndertuar hekurudhen e Adriatikut nuk paten sukses (Milicevic 2011: 12), pavaresisht lobimit te saj dhe me Rusine (Drashkic 2000, f.139-140). 

Nderkohe, austro-hungarezet i ndiqnin nga afer perpjekjet serbe per hekurudhen e Adriatikut dhe ishin te bindur se realizimi i projektit serb do te zvogelonte nga ana strategjike peshen e ndikimit austro-hungarez jo vetem ne ekonomine e politiken serbe, por edhe ne rajonin e Ballkanit. Per kete austro-hungarezet qe ne vitin 1900, kishin bere projektin e tyre te hekurudhes ne sanxhakun e Novi Pazarit. Pasi sakrifikuan programin e reformave qe Fuqite e Medha i kishin imponuar Turqise per te zbatuar ne Maqedoni (Marreveshja Austro-Ruse e Myrcshtegut, 24 Tetor 1903), Vjena me 31 janar 1908 arriti te marre nga Stambolli lejen per ndertimin e kesaj hekurudhe. 

Projekti austro-hungarez i hekurudhes se Novi Pazarit u vleresua nga ana e Rusise si nje tentative per prishje te status quos ne Ballkan, te vendosur ne marreveshjet mes Austro-Hungarise dhe Rusise me 17 Maj 1897(Pribram 1923:107-113). Per kete ruset shtuan mbeshtetjen per serbet dhe projektin e tyre per ndertimin e hekurudhes se Adriatikut. Ne kete menyre, projekti serb i hekurudhes se Adriatikut, i projektuar te kalonte nepermjet territorit shqiptar, u be pjese e rivalitetit politik per dominim ne Ballkan mes Rusise dhe Austro-Hungarise (Drashkic 2000:146), dy nder fuqite me te medha te kohes. Ky rivalitet do te ndikonte negativisht ne ceshtjen shqiptare dhe ne kompleksin ballkanik te sigurise. Keshtu, ceshtja e hekurudhes se Adriatikut u nderkombetarizua. Ajo u be nje ceshtje evropiane. Per kete, me 3 shtator 1908, me propozim te fuqive te medha, Stambolli miratoi nje firme franceze per kryerjen e studimit te fizibilitetit ne te gjithe gjurmen e hekurudhes qe do te kalonte neper territorin shqiptar, nga Merdarja ne Shengjin. Por kryengritjet e njepasnjeshme te shqiptareve per te fituar te drejtat e tyre, e bene te pamundur jetesimin e planit serb per ndertimin e hekurudhes se Adriatikut. 

Ne te vertete projekti i hekurudhes se Adriatikut jo vetem qe u be faktor politik mes Rusise e Austro-Hungarise ne Ballkan, por se bashku me projektet e tjera hekurudhore rajonale qe palet e interesuara kishin publikuar qe ne vitin 1903, hyri ne qender te perplasjeve mes Fuqive Qendrore dhe atyre te Antantes. Meqenese projektet kryesore hekurudhore rajonale ishin planifikuar te kalonin neper territorin shqiptar dhe, duke qene se prapa tyre qendronin aktoret me te fuqishem gjeopolitike shteterore te kohes, keta aktore do te ndikonin dhe ne ceshtjen shqiptare, ne menyren dhe permasat e zgjidhjes se saj si dhe ne raportet e saj me kompleksin ballkanik te sigurise. 

Nderkohe, ngjarjet ne rajon po precipitonin me shpejtesi. Kryengritjet e vazhdueshme shqiptare per autonomi e me pas per pavaresi, kishin luajtur rol te rendesishem ne dobesimin e Perandorise Osmane ne Ballkan. Shtetet e pavarura ballkanike, Mali Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia kishin nenshkruar aleanca mes tyre dhe prisnin vetem momentin per t'i shpallur lufte Stambollit me qellim qe te ndanin mes tyre zoterimet osmane ne Ballkan. 

Ne kete kuader, aleanca serbo-bullgare e 13 Marsit te vitit 1912, ka qene nje vazhdim i planeve serbe, tashme jo per ndertimin e hekurudhes se Adriatikut, por per pushtimin e territoreve shqiptare e per te siguruar daljen e Serbise ne Detin Adriatik. Kjo nenkuptohet qarte ne percaktimin e nenit 2 te shtojces sekrete te asaj marreveshje se : "Bullgaria i njeh Serbise te drejten mbi territoret ne veri e ne perendim te Malit te Sharrit- si zone e padiskutueshme serbe" (Puto 1984:370-376). Me rastin e bisedimeve me Bullgarine ne vitin 1912, per lidhjen e aleances kunder Turqise, kryeministri i atehershem i Serbise, Millovan Millovanovic, kishte qellim kryesor politik daljen e Serbise ne det (Drashkic 2000:176). 

Me shperthimin e Luftes I Ballkanike, me 8 tetor 1912, aleatet ballkanas filluan kunder Turqise veprimet luftarake ne bashkepunim, sikurse kishin rene dakord me pare. Kur trupat ushtarake serbe, pas perleshjeve te ashpra me luftetaret shqiptare, arriten ne Prizren, Austro-Hungaria paralajmeroi qeverine serbe me ane te nje note qe trupat serbe te mos avanconin me shume ne perendim pertej Prizrenit, "vijes se kuqe" te percaktuar prej tyre. Por, ushtria serbe tashme ishte vetem 120 kilometra larg detit Adriatik. Serbia mendoi se kishte ardhur koha te hiqte dore nga projekti i hekurudhes se Adriatikut dhe te pushtonte territoret shqiptare deri ne Adriatik (Milicevic 2011:292). Kryeministri serb Nikolla Pashiq shperfilli paralajmerimin austro-hungarez dhe urdheroi ushtrine serbe te vazhdonte me shpejtesi ne perendim drejt Detit Adriatik, per te bere fakt te kryer daljen ne det, i cili ishte dhe qellimi kryesor i angazhimit te Serbise ne Luften Ballkanike. 

Forcat serbe me 29 nentor arriten ne Durres. Ketu ata organizuan nje ceremoni fetare kurorezimi te ushtareve serbe me Detin Adriatik, duke e quajtur "Det serb". Ne ate kohe, me 25 nentor, ne gazeten "Times" te Londres, u botua deklarata e kryeministrit serb Pashiq se Serbia e kerkon Durresin me hinterlandin me te madh (Islami 2003). 

Dalja tokesore e Serbise ne Adriatik cenonte interesat dhe synimet austro-italiane per kontroll ne kete pjese te gjeohapesires shqiptare. Prandaj Austro-Hungaria reagoi me ashpersi. Ajo i dergoi ultimatum fuqive te Marreveshjes Trefishe qe Serbia duhej te terhiqej menjehere nga bregdeti. Fuqite e Marreveshjes Trefishe u detyruan ta merrnin seriozisht kercenimin austro-hungarez. Per kete, per afrimin e pikepamjeve dhe per gjetjen e zgjidhjeve te pranueshme nga palet per ceshtjen shqiptare u zhvilluan bisedime te fshehta. Me ne fund Rusia, e cila me pare kundershtonte hapur krijimin e nje etniteti politik shqiptar, u detyrua te pajtohet me propozimin austro-italian per krijimin e nje shteti autonom shqiptar. Ajo u detyrua te kenaqet vetem me daljen tregtare te Serbise ne detin Adriatik dhe e detyroi Serbine te terhiqte menjehere trupat e saj nga Shqiperia. Edhe kundershtarja e Rusise, Austro-Hungaria u terhoq nga projekti per krijimin e nje shteti te pavarur shqiptar dhe u bashkua me kerkesen e Rusise dhe te Frances, per formimin e nje shteti autonom shqiptar. Por perseri projekti serb i hekurudhes se Adriatikut gjeti mbeshtetjen e Fuqive te Medha ne Konferencen e Ambasadoreve ne Londer ne vitin 1913 qe ne seancen e pare te 17 dhjetorit 1912. Konferenca vendosi qe "nje dalje tregtare do t'i lihet Serbise nepermjet nje porti shqiptar te lire dhe neutral, i sherbyer nga nje hekurudhe nderkombetare nen kontrollin evropian dhe nen kujdesin e nje force te posacme nderkombetare, me liri transiti per te gjithe mallrat, duke perfshire dhe municionet e luftes" (Pol Kambon, raport date 17.12.1912). Premtimi per hekurudhen dhe daljen tregtare ne detin Adriatik, iu rikonfirmua Serbise nga Fuqite e Medha edhe ne vendimin e 29 Korrik 1913, vendim ne te cilen ato njohen pavaresine e Shqiperise (Procesverbali i Konferences Londres, 29 Korrik 1913). 

Pasi deshtoi te dilte me territore deri ne Adriatik, ndonese siguroi mbeshtetjen e Fuqive te Medha per projektin e saj te hekurudhes se Adriatikut, Serbia synoi te siguronte mbeshtetje edhe nga brenda Shqiperise per kete projekt. Keshtu sipas marreveshjes se Nish-it, nenshkruar mes Pashiqit dhe Esat Toptanit "Shqiperia pranon detyrimin se nuk do te kundershtoje ndertimin e hekurudhes se Adriatikut deri ne Durres"(neni IX i Marrveshjes Nish-it, 4 shtator 1914). Ne forme zhdemtimi te territoreve te nevojshme per ndertimin e hekurudhes se Adriatikut deri ne Durres, Serbia do t'i jepte Shqiperise pesedhjete mije dinare ne muaj, deri ne zgjedhjen e qeverisesit te ri te Shqiperise. Ndihma jepej menjehere, ndersa ceshtja e ndertimit te hekurudhes i takonte nje te ardhmeje te papercaktuar. Ky zhdemtim eshte ne te vertete ndihma e fshehte per mbulimin e shpenzimeve te Esat Pashes per ta mbajtur ate ne pushtet (Drashkic 2000:257-259). 

Edhe pas Luftes se I Boterore, ne Konferencen e Paqes se Parisit, fuqite fituese te luftes nuk i harruan pretendimet serbe per hekurudhen e Adriatikut. Per kete, ne memorandumin e miratuar ne lidhje me ceshtjet e Adriatikut me 9 dhjetor 1919, ne promemorien mbi ceshtjen shqiptare, vendosen t'i jepnin mundesi mbreterise serbo-kroato-sllovene "te kishte te drejte te ndertoje dhe shfrytezoje vija hekurudhore ne Shqiperine e Veriut...si dhe te gezoje cdo lloj lehtesie ne sektorin e transportit nderkombetar ne Shqiperine e Veriut"(La Question Adriatique Receuil de documents officiels. Paris, 1920, f.57-58,65-67). Por vendimi i Kongresit te Lushnjes se shqiptaret nuk pranonin asnje mandat ose protektorat te huajne Shqiperi, arkivoi pergjithmone kete enderr serbe(AQH i RPSH,F.K.L.,D.3,Dok Nr.51.157,kopje) . 

Si perfundim, Ceshtja shqiptare ne Ballkan dhe zgjidhja e saj, ne vazhdimesi, ne nje mase te konsiderueshme, pervec luftes dhe perpjekjeve te popullit shqiptar, ka qene e ndikuar dhe nga perplasjet e mes aktoreve nderkombetare dhe rajonale te kohes dhe aleancave qe mbeshtesnin ato, per te perfituar pjese te gjeohapesires shqiptare apo per korridoret tokesore te transportit qe parashikohej te kalonin nepermjet saj. 

No comments:

Post a Comment